Bushi zbulon listën për dy ndeshjet e radhës, ka mungesa për shkak të Covid-it
Alban Bushi ka publikuar listën e lojtarëve që do të ketë në dispozicion për dy ndeshjet kualifikuese ndaj Austrisë dhe Andorrës. Sfida e parë do të luhet në transfertë më 4 shtator, ora 18:30, ndërsa e dyta më 8 shtator, në “Elbasan Arena”, prej orës 19:00.
Trajneri kuqezi ka zbuluar se Broja mungon në listën e tij, për shkak se pritet të grumbullohet nga Edy Reja në kombëtaren e madhe. Çokaj dhe Mersinaj, pjesë e Lokomotivës së Zagrebit, nuk vijnë dot për këtë grumbullim, sepse janë në karantinë prej Covid-19, pasi kanë pasur kontakte me persona pozitivë në klub.
“Kemi dy ndeshje të rëndësishme ndaj Andorrës dhe Austrisë. Jemi në një periudhë të vështirë prej pandemisë. Disa lojtarë kanë luajtur me klubet, disa jo. Kemi marrë edhe lojtarë të tjerë. Kemi folur me drejtuesit e Tiranës dhe Teutës që lojtarët e grumbulluar prej tyre mos të kenë shumë minuta në Superkupë, pasi janë grumbulluar edhe ata.
Broja pritet të jetë pjesë e ekipit A. Kemi shumë lojtarë të tjerë në sulm. Nuk kemi problem në këtë repart. Ne e kemi furnizuar shumë kombëtaren e madhe, pasi ka pasur një periudhë tranzicioni. Po ashtu, kemi qenë kompetitivë edhe si U-21, ndaj jam i kënaqur. Rezultatet na kanë munguar, në fakt, por kemi bërë lojëra të mira. Synojmë vendin e tretë në grup. Austria ka lojtarë të mirë, 7 lojtarë prej tyre janë aktivizuar në kualifikueset e Champions-it.
Kemi problem prej Covid-19, duhet të kalojmë nëpër teste. Cokaj dhe Mersinaj, që luajnë në Kroaci, janë në karantinë. Nuk janë pozitivë, por kanë pasur kontakte me persona të infektuar. Sot bëmë testin e parë, pastaj më 1 shtator do të kryejmë tamponin e dytë për të udhëtuar të qetë drejt Austrisë.
Kemi marrë lojtarë edhe nga kampionati ynë, sepse Tirana, Laçi dhe Kukësi kanë elementë të mirë. Derisa loja e mirë do të vazhdojë, besoj se do të kemi një skuadër të fortë në këto eleminatore. Jam jashtë mase i gëzuar, sepse lojtarët shqiptarë po bëjnë mirë në ndeshjet e Kupave të Europës, me klubet e Superligës. Xhixha, Shehu, Ismajlgeci janë elementë që kanë minuta në këmbë. Ne do të shkojmë në Austri për të marrë rezultat të mirë.
Përsa i përket mbrojtjes nuk jam i kënaqur me emrat, sepse kemi vetëm pesë lojtarë të gatshëm, ndërsa katër do të luajnë. Nuk doja ta përdorja si justifikim, se nuk kemi mbrojtës, por gjithsesi kemi lojtarë që janë përshtatur më herët në mbrojtje, si Çelhaka. Duke parë mundësitë, do të përshtasim lojtarë në prapavijë, sepse kemi shumë mungesa”, deklaroi Bushi.