Buzëqesh Koeman, Gerard Pique mund të luajë sërish këtë sezon

Një lajm i mirë për trajnerin e Barcelonës, Ronald Koeman. Gerard Pique nuk do t’i nënshtrohet një operacioni në ligamentin e gjurit dhe me shumë mundësi ai mund të luajë sërish këtë sezon.

Lajmin e ka konfirmuar “Catalunya Radio” dhe nëse gjithçka shkon sipas planit, spanjollin do ta shikojmë sërish në fushë në muajin prill.

Fillimisht u mendua se mbrojtësi mund të qëndronte jashtë fushave për afro tre deri në tetë muaj, por Pique pritet të bëjë një fazë rikuperimi të plotë, që pritet ta ndihmojë të rikthehet më shpejt.

Në kampin katalanas nuk janë të panjohur me këtë situatë, pasi edhe në vitin 2018 u mor po ky vendim me dëmtimin që pësoi Samuel Umtiti.

Francezi shmangu ndërhyrjen kirurgjikale, por rikuperimi i tij zgjati më shumë se sa ishte parashikuar. Barcelona shpreson që mos të ndodhë e njëjta gjë dhe me Pique, edhe pse kushtet e operacionit ndryshojnë në dy rastet.

SHKARKO APP