Bylis dhe Gramshi, kampione në dy kategoritë poshtë Superiores
Kategoria Superiore e shpalli fituesin një javë më parë dhe të premten Skënderbeu i Korçës festoi titullin e pestë radhazi kampion. Të shtunën janë përcaktuar edhe fituesit e dy kategorive më poshtë. Bylis ka mposhtur Tërbunin me rezultatin 0-2 në “Elbasan Arena” dhe është shpallur kampion i Kategorisë së Parë. Të dyja këto skuadra siguruan ngjitjen në Kategorinë Superiore dhe përcaktuan skuadrën fituese të këtij sezoni. Dopieta triumfuese e ballshiotëve u realizua nga Mustafaraj në 61’, dhe Vrami, në minutat e kohës shtesë. Skuadra e Roland Nenajt fiton kështu titullin kampion të Kategorisë së Parë. Po dje u zhvillua edhe finalja e Kategorisë së Dytë, Gramshi – Korabi 3-1. Gramshi ka fituar 3-1 në “Qemal Stafa” ndaj skuadrës së Korabit. Gramshiotët thyejnë Korabin e Peshkopisë, duke fituar titullin kampion të Kategorisë së dytë. Golat u shënuan nga Koçi 16′, Fuçia 70′ dhe Goga 78′. Për miqtë realizoi Lamaj në 92’. Ndeshja e fundit e këtij sezoni është finalja e Kupës së Shqipërisë, mes Kukësit e Laçit. Kjo ndeshje, nëse fiton Kukësi, do t’i sigurojë përveç trofeut të parë në histori skuadrës verilindore, edhe Tiranës një biletë në Europa League. Nëse fiton Laçi trofeun e dytë të kupës në historinë e vet, merr edhe biletën e mbetur për në Europë nga klubet shqiptare.
KOHA JONË SONDAZH

