Calhanoglu: S’jam i parë që kaloj nga Milani tek Interi, Pioli i vetmi që donte të më mbante!
Hakan Calhanoglu është transferimi më i rëndësishëm i Interit deri më tani në merkaton e kësaj vere. Mesfushori turk ka përfunduar pushimet dhe është vendosur nën urdhrat e Simone Inzaghit. Në një nga intervistat e tij të para si futbollist i Interit 27-vjeçari shpjegoi edhe arsyet se përse la Milanin për Interin.
“Ausilio dhe Inzaghi më telefonuan dhe gjithçka ndodhi shumë shpejt. Nuk jam i pari dhe nuk do jem as i fundit që shkoj nga Milani te Interi. Doja të bëja një hap përpara dhe kam respekt të madh për Milanin. Pastaj tifozët bëjnë zhurmë, është normale.
Pioli bëri punë të mrekullueshme, më la të luaj në rolin tim, prandaj krijova aq shumë raste dhe dhashë asiste. Duhet ta falënderoj me të vërtetë atë, ai është i vetmi që donte të më mbante. Kemi biseduar shumë herë, por më pas ai respektoi vendimin tim dhe më uroi. Inzaghi te Lazio luajti me Luis Alberton në rolin tim dhe ne jemi lojtarë mjaft të ngjashëm. Më pëlqen vëmendja e tij, sesi flet me mua dhe si më bën të ndihem”, deklaroi Calhanoglu.