Cannavaro mbështet Italinë: Mos u dorëzo, ja dalim si në Kupën e Botës 2006!
Italia po vuan prej ditësh pandeminë e koronavirusit, që ka shkaktuar shumë viktima, teksa shifrat deri më tani janë të frikshëm. Fabio Cannavaro, trajneri i Guangzhou Evergrande në Kinë e ka kaluar këtë situatë delikate, ndërkohë që tashmë ka dhënë një mesazh frymëzues për vendin e tij.
“Ajo që po ndodh me vendin tonë po më shkakton një ndjenjë të fortë ankthi dhe dhimbjeje. Unë nuk mund ta përshkruaj se sa keq ndihem kur e shoh Italinë në këto kushte, me kaq vuajtje, me aq shumë njerëz që vdesin. Unë jam me zemër afër të gjithë atyre personave të prekur nga sëmundja dhe atyre që kanë humbur të dashurit.
Për të dalë prej kësaj situate kritike do të kemi nevojë për të njëjtin frymë kohezioni të treguar në vitin 2006, vendimtare për fitoren e Kupës së Botës në Gjermani. Njerëzit shpesh më pyesin pse Italia e fitoi atë Botëror. Për fat të mirë ishim skuadra më e fortë dhe besuam në atë trofe. Tani Italisë i duhet e njëjta frymë uniteti. Momente të tilla duhet të nxjerrin në pah krenarinë dhe forcën tonë si popull, edhe pse është mjaft e vështirë.
Kjo përvojë e vështirë do të na shënjojë thellësisht, për mire, ose për keq. Shumë njerëz do të humbasin punën e tyre, ne do të duhet të punojmë më shumë. Shpresojmë që vaksina të arrijë sa më shpejt të jetë e mundur për të dalë nga ky makth, njëherë e përgjithmonë”, tha Cannavaro për “The Players’ Tribune”.