Capello: CR7 nuk ka gjenialitetin e Messit, Ronaldo braziliani ishte lider negativ!
Edhe pse është tërhequr nga trajningu që prej vitit 2018, Fabio Capello vazhdon të analizojë futbollin me të njëjtën qartësi dhe pa dorashka. Ish-trajneri italian ka dhënë mendimin e tij për disa nga emrat më të mëdhenj të futbollit botëror, duke nisur nga Cristiano Ronaldo.
Në një intervistë për emisionin “Hat-Trick” në kanalin egjiptian ON Sport, Capello vlerësoi aftësitë e portugezit, por theksoi se ai nuk mund të krahasohet me disa legjenda të tjera.
“Cristiano është një golashënues i madh dhe një atlet i jashtëzakonshëm, por nuk ka gjenialitetin e Messit, Maradonës apo Ronaldos (Nazario). Ai element që ata tre e kishin, mungon te Cristiano. Nuk mund të vendoset në të njëjtin nivel me ta”, deklaroi Capello.
Italiani ndaloi edhe te Barcelona, duke e cilësuar lojën e katalanasve si “futboll të bukur dhe shumë argëtues”, por nuk ngurroi të evidentojë edhe një pikë të dobët: “Dobësia e Barcelonës është varësia e vazhdueshme nga kurthi i pozicionit jashtë loje. Ndonjëherë, për disa centimetra, e gjen kundërshtarin vetëm përballë portës”.
Capello foli gjithashtu për menaxhimin e egove në dhomat e zhveshjes, duke kujtuar eksperiencën e tij te Real Madridi. Ai përmendi edhe një episod me Ronaldon brazilian: “Ronaldo Nazario ishte një lider negativ. Organizonte festa të mëdha dhe nuk donte të stërvitej”.
Duke bërë një krahasim me Real Madridin aktual, Capello komentoi edhe një episod të Kylian Mbappé, i cili u kishte kërkuar shokëve të skuadrës të mos bënin ‘pasillo’ për Barcelonën pas humbjes në Superkupën e Spanjës. “Kjo do të thotë se trajneri nuk ka më pushtet apo lidership”, u shpreh ai. /Koha Jonë/
KOHA JONË SONDAZH

