Carlo Ancelotti “ndez” Brazilin, synon Kupën e Botës dhe ëndërron një finale historike ndaj Italisë
Carlo Ancelotti, ende pa e mbushur një vit në krye të Brazilit, ka arritur të fitojë besimin dhe entuziazmin e tifozëve brazilianë. Teksa Botërori 2026 po afrohet me ritme të shpejta, trajneri italian ka zgjedhur të nxisë edhe më shumë optimizëm te Seleçao, duke folur hapur për objektivin e tij madhor.
“Ëndrra ime është të fitoj Kupën e Botës së gjashtë me Brazilin”, u shpreh Ancelotti, duke sinjalizuar qartë ambicien e lartë me të cilën ka marrë drejtimin e një prej kombëtareve më të mëdha në histori.
Por tekniku 65-vjeçar shkoi edhe më tej, duke zbuluar dëshirën e tij më të veçantë: ta çojë Brazilin në një finale të Botërorit përballë Italisë. Një sfidë që do të kishte një ngarkesë të jashtëzakonshme emocionale për të, pasi do të përballte vendin që drejton me vendlindjen e tij.
Ancelotti pranon se një finale Brazil-Itali do të ishte një moment i paharrueshëm në karrierën e tij si trajner dhe si italian. Me përvojën e tij të gjatë dhe stilin e qetë që e karakterizon, Ancelotti e di se presioni është i madh, por thekson se pasioni i tij për futbollin dhe ambicia për të rikthyer Brazilin në majë e bëjnë sfidën akoma më të motivuese.
Kanë kaluar 24 vite që nga trofeu i fundit i Botërorit për Brazilin, dhe Ancelotti e ndjen përgjegjësinë për ta rikthyer Seleçaon në majat e futbollit botëror duke synuar historinë në vitin 2026.
KOHA JONË SONDAZH

