Carlos Tevez: Shpallem kampion me Juven, pastaj Champions

Seria A/ Basha, Lila, Cana, Berisha e Hysaj, i bashkohen kombëtares pas formës së shkëlqyer, në javët e fundit. 

Argjentinasi Carlos Tevez është njeriu i momentit tek Juventus. Ishte pikërisht ai shënoi ndaj Dortmund  dhe kualifikoi bardhezinjtë në çerekfinalet e Champions League. Por “Apashi” me golin e tij të fundit në Seria A i dha fitoren 1-0 Juves, ndaj Genoas. Skuadra e Allegrit është në rrugë të mbarë për të fituar titullin e 4-t radhazi kampion në Itali, si dhe ka shanse të mira për të ecur gjatë edhe në Champions League, pasi për një vend në gjysmëfinale përballë do të ketë ekipin e Monakos. Me fitoren ndaj Genoas bardhezinjtë ruajtën avantazhin prej 14 pikësh kundrejt Romës në Seria A. Carlos Tevez kërkon nga skuadra e tij që ta fitojë sa më shpejt të jetë e mundur titullin kampion, në mënyrë që të përqendrohet maksimalisht tek dy sfidat çerekfinale te Champions, ndaj Monacos. – “Jemi në një moment të mirë, aktualisht skuadra po kalon një formë të shkëlqyer dhe kjo është gjëja më e rëndësishme. Tashmë objektivi ynë është të fitojmë titullin kampion sa më shpejt të jetë e mundur, pasi duam të mendojmë vetëm për dy ndeshjet ndaj Monacos që do të kemi muajin e ardhshëm,” – theksoi Tevez.  Sulmuesi argjentinas është duke zhvilluar një sezon fantastik me Juven, teksa kryeson listën e golashënuesve të Serisë A me 16 gola deri tani. Por ai humbi edhe një 11-metërsh që ishte i dyti i humbur prej tij këtë sezon. Milan fitoi 3-1 ndaj Kaljarit të shtunën dhe largoi disi krizën, por Inter humbi 1-0 me Sampdorian dhe Napoli barazoi 1-1 me Atalantën, duke mbetur në zona të pafavorshme të klasifikimit, kur garës së Seria A po i vjen fundi. Në ndeshjet e tjera të javës së 28-të të Seria A, Torino fitoi 2-0 ndaj Parmas. Mesfushori Migjen Basha shënoi një nga dy golat e Torinos, duke treguar se është në formë të shkëlqyer në prag të ndeshjes me Armeninë. Edhe Lacio fitoi 2-0 ndaj Veronas dhe  është ngjitur në vend të tretë, një pikë larg Romës që mban vendin e dytë. Lorik Cana dhe Etrit Berisha, dy lojtarë kuqezi të kësaj skuadre kanë luajtur një rol të rëndësishëm në ecurinë pozitive të lacialëve. Empoli i mbrojtësit Elseid Hysaj fitoi 3-1 ndaj Sasuolos, të shtunën dhe futbollisti i talentuar kuqezi mbetet një ndër pikët më të forta të kësaj skuadre. Edhe Andi Lila, ndonëse Parma e tij ka falimentuar dhe rënë një kategori më poshtë, debutoi një javë më parë me gol, dhe është në formën e duhur. Kësisoj, de Biasi me formën që gëzojnë kuqezinjtë e Seria A, ka një arsye më shumë për të pretenduar fitoren ndaj Armenisë. 

Swiss Digital Desktop Reklama
Swiss Digital Mobile Reklama

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A veproi mirë Rama me ndryshimet në qeveri?