Cavani “driblon” Interin, më pranë transferimit tek Atletico Madrid
E ardhmja e Edinson Cavanit me shumë mundësi nuk do të jetë në Itali. Sulmuesi uruguaian sipas “Tuttosport” preferon më shumë një transferim të mundshëm te skuadra e Atletico Madrid, dhe jo Interi. Bomberi i PSG ka biseduar gjatë me trajnerin Diego Pablo Simeone dhe i ka premtuar këtij të fundit se do të pranojë ofertën e Atleticos për t’u transferuar atje që prej fillimit të shtatorit.
Kjo pasi Cavani u ka premtuar drejtuesve të Paris Saint Germain se do të qëndrojë në kryeqytetin francez deri në përfundim të aventurës së tyre në Ligën e Kampionëve dhe vetëm më pas do të vendosë vetë për të ardhme, duke qenë se i ka skaduar kontrata.
Sulmuesi uruguaian ndiqet edhe nga Interi, por ashtu siç e tha edhe drejtori sportiv i zikaltërve, Piero Ausilio, Cavani nuk është ende një mundësi e artë, duke qenë se përfiton një pagë mjaft të lartë dhe milanezët nuk duan të investojnë te një futbollist 33-vjeçar.