Çdo ditë ndeshje në dy fasha orare, La Liga do të rifillojë në këtë mënyrë
Beteja e gjatë mes dy organizatave më të larta të futbollit spanjoll, ajo për oraret dhe ditët ndeshjeve të La Ligas është mbyllur me një fund të lumtur. Liga spanjolle e Futbollit dhe Federata kanë arritur një akord i cili duhet të certifikohet përpara një gjykatësi, për të luajtur gjatë gjithë javës përfshirë edhe ditën e hënë në dy fasha orare.
Në momentin që do të rifillojë kampionati spanjoll do të luhet në orën 20:00 në zonat ku bën më freskët dhe do të ketë ndeshje në orën 23:00 në qytetet ku temperaturat janë më të larta, duke patur parasysh edhe faktin që La Liga do të rinisë në muajin qershor.
Luis Rubiales presidenti i Federatës Spanjolle të Futbollit ka qenë gjithmonë kundër ndeshjeve gjatë ditës së hënë sepse gjithmonë e ka gjykuar ditën e parë të javës si të papërshtatshme për sa i përket kërkesave të spektatorëve, por në një futboll me dyer të mbyllura ky shqetësim kthehet në të pavlerë. Limiti i vendosur për çdo skuadër nga një ndeshje te tjetra është 72 orë.
Për shembull nëse një skuadër zbret në fushë ditën e hënë ndeshjen e ardhshme nuk do ta luajë para ditës së enjte. Ky organizim do t’i lejojë ligës spanjolle të futbollit ta mbyllë kampionatin brenda datës 29 korrik, pra brenda limitit të vendosur nga UEFA në mënyrë që deri në 3 gusht të ketë kohë për të zhvilluar edhe ndeshjet e fundit të Kupave Europiane.