Ç’e pret Serbinë! Mesazh i Mavraj, formacioni dhe kereografia kuqezi (Foto)
Gjithçka gati. Edhe mbrojtësi Mërgim Mavraj, që është i dëmtuar dhe i vetmi lojtar që nuk do të jetë sot në dispozicion të Gianni de Biasi, ka mbërritur dhe është pranë ekipit kuqezi, në këtë ditë historike.
Me këtë rast, lojtari i Këlnit në Bundesligë ka lënë edhe mesazhin e tij në Facebook: “Pavarësisht se si do të jetë rezultati në fund të ndeshjes, dashuria dhe krenaria jonë për ju është e pafundme. Falënderojmë Zotin që sot fanellën kuqezi e përfaqësojnë djem kaq guximtarë, por mbi të gjitha modestë! Dinjiteti na solli deri në pikën aktuale dhe sot jam i sigurtë që do të na gëzoni zemrat dhe shpirtin. Mbështetja jonë për ju është e pamasë. Faleminderit pafund për gjithë këto momente që po na e bëjnë zemrën mal, nuk do të harrohen kurrë! Forca Shqipëri, je më e mira!”
Pak momente më vonë, kuqezinjtë do të lënë rezidencën e tyre në Durrës dhe do të nisen drejt Elbasanit, ku i pret në mbrëmje në “Elbasan Arena” sfida me Serbinë.
Trajneri Gianni de Biasi e ka gati formacionin dhe pritet ta bëj zyrtar dy orë para ndeshjes. Mësohet se do të ketë ndryshime, në repartin e sulmit, ku Balaj do të ulë në stol Cikalleshin dhe Memushaj është planifikuar të luajë pas tij. Rikthehet Hysaj, në ndryshim nga ndeshja e kaluar dhe Meha apo Basha me shanse më të mëdha te ky i fundit, janë disa nga ndryshimet e formacionit kuqezi.
Spektakli pritet edhe në shkallët e stadiumit. Tifozët e kombëtares kanë përgatitur gjithçka për këtë sfidë, ku nuk bëhet më fjalë për ndonjë incident.
Nuk do të ketë simbole që s’përfaqësojnë Shqipërinë zyrtare në ndeshjen ndaj Serbisë. Ky është ultimatumi i UEFA-s dhe policia është e detyruar ta vërë në zbatim këtë urdhër, duke “zhveshur” çdo tifoz që mund të ketë me vete banera, parulla apo elementë koreografikë me sfond nacionalizmi. Megjithatë, tifoi-grupi “Tifozat Kuq e Zi” ka menduar ta kompensojnë gjithçka me dy flamuj gjigantë kuq e zi, të kombit shqiptar, të cilët do të shpalosen sonte në stadium.
Kjo kërkesë e mbështetësve të kombëtares sonë është pranuar nga UEFA. Mësohet se flamujt e mëdhenj do të shpalosen në tribunat C1, C2 dhe C3 të “Elbasan Arena”. Edhe në “Telia Parken”, në fakt, tifozët kuqezinj në Skandinavi kishin përgatitur një flamur me përmasa të konsiderueshme, të cilin e hapën gjatë ndeshjes. Merret vesh se flamuri gjigant, që do të jetë pjesa kryesore e koreografisë në shkallët e stadiumit, do të jetë i ngjashëm me atë që u shpalos në ndeshjen Shqipëri-Ukrainë në “Qemal Stafa”.
KOHA JONË SONDAZH

