Ceferin: 80% e kampionateve do të mbyllen, Kupa e Europës në gusht
UEFA synon mbylljen e të gjitha kampionateve, teksa sipas presidentit Alexander Ceferin, situata është optimiste në shumë vende.
“Ne bëmë një plan për të çuar deri në fund të gjithë ligat europiane dhe deri tani jam i kënaqur me mënyrën se si po procedohet. Mund të them se rreth 80 % e kampionateve do të arrijnë të mbyllen rregullisht, ndërsa pjesa tjetër e kanë vetë përgjegjësinë.
Ligue 1? Kur ka një vendim qeverie, ne nuk mund të bëjmë asgjë, por mendoj se kemi të bëjmë me vendime të nxituara, pasi situata mund të përmirësohet nga momenti në moment. Gjithsesi është pak e vështirë të mendosh që klube si PSG dhe Lyon do të luajnë ndeshjet e Championsit në gusht, por nuk do të luajnë në kampionat.
Nuk e di si do përshtaten pas shumë muajsh pa luajtur. Ne jemi të interesuar që kampionatet të përfundojnë dhe t’i referohemi renditjes finale për pjesëmarrjen në Kupat e Europës, ndërsa në kampionatet ku sezoni është ndërprerë, klubet do t’i nënshtrohet një raundi kualifikues”, u shpreh Ceferin.
Më pas presidenti i UEFA-s theksoi se nëse situata do të vijojë të jetë si tani, Champions dhe Europa League do të zhvillohen në muajin gusht, ndonëse pa praninë e publikut.