Ceferin: Jemi gati për rinisjen e sezonit, por me stadiume bosh
Presidenti i UEFA-s, Aleksander Ceferin ka dhënë një intervistë ku është shprehur mjaft optimist për përfundimin e këtij sezoni. Kreu i qeverisë europiane të futbollit pranoi se të luash pa tifozë është gjithmonë e vështirë, por shtoi se në këto momente është shumë më e rëndësishme të luhet.
“Synimi parësor është të mbrojmë shëndetin e tifozëve, drejtuesve dhe futbollistëve, ndaj mendoj se mund të rifillojmë të luajmë me stadiumet bosh dhe të çojmë sezonin deri në fund. Në këto momente të vështira, zhvillimi i ndeshjeve do të sillte sadopak kënaqësi për njerëzit, ndonëse do t’i shikonin vetëm nëpërmjet televizorit.
Nëse nuk arrijmë të mbyllim sezonin, atëherë dëmet ekonomike për klubet do të jenë të paimagjinueshme, megjithatë presim ende lejen e autoriteteve për të zhvilluar ndeshjet pa tifozë. Sigurisht që ky nuk është një opsion shumë i mirë, por është më mirë sesa të ndalemi fare”, deklaroi kreu i UEFA-s.