Ceferin: Kemi tre hipoteza, kampionatet mund të rinisin edhe në shtator
Presidenti i UEFA-s, Aleksander Ceferin ka folur për dramën që po kalon futbolli evropian për shkak të ndalimit nga koronavirusi. Në një intervistë për “La Repubblica”, ai ka hedhur një hipotezë të hipotezë të re për rifillimin e kampionateve.
“Në këtë moment dramatik gjëja më e rëndësishme është shëndeti, për të dalë nga kjo krizë. Sigurisht, futbolli i ndërprerë simbolizon që Evropa dhe bota janë ndalur. Ka të paktën tre mundësi: të fillohet sërish në mes të majit, në qershor ose në fund të qershorit. Nëse kjo nuk do të bëhet, me siguri që sezoni do të humbasë.
Ekziston gjithashtu mundësia që të rifillojmë në fillim të sezonit pasardhës, duke filluar më vonë tjetrin. Duhet të shohim zgjidhjen më të mirë për Ligat dhe klubet. Askush nuk e di se kur do të përfundojë pandemia. Ne kemi një plan A, B dhe C. Jemi në kontakt me kampionatet dhe klubet, kemi ngritur një grup punë”, deklaroi Ceferin. /R.Lika-Koha Jone/