Çekiçi: Jam përmirësuar shumë në Turqi, duam vendin e parë në Ligën e Kombeve
Endri Çekiçi, mesfushori shqiptar që luan në kampionatin turk ka bërë një sezon mjaft të mirë me ekipin e Koniasporit, duke shënuar edhe gola. Ne konferencën për mediat, ai u ndal te sezoni me skuadrën e tij në Turqi, ndërsa flet edhe për objektivat e Shqipërisë në këtë kompeticion.
Sezoni me Koniasporin – Që nga momenti që u transferova te Konyaspor, ndihma e Sokolit dhe Zymerit ka qenë shumë e madhe, duke qenë se kemi një marrëdhënie shumë të mirë jashtë fushe dhe në fushë na ka ndihmuar shumë. Që në fillim të sezonit e pamë që do kishim një sezon të suksesshëm dhe vazhduam ashtu. Vendi i tretë në kampionat, edhe pse po shpresonim për vendin e dytë, por në fund ishte një sezon shumë i suksesshëm.
Statistikat me Olimpian dhe në Turqi – Besoj edhe shifrat janë të përafërta, njësoj si tek Olimpia, por kampionati turk është më i fortë, qoftë nga ana fizike, qoftë nga kualiteti i lojtarëve. Nëse shohim emrat e lojtarëve në atë kampionat, besoj se flet gjithçka.
Aspekti fizik dhe kombëtarja – Në aspektin fizik jam përmirësuar shumë që nga transferimi në Turqi. U bënë dy sezone dhe këtë e kam shfaqur edhe në fushën e lojës. Sa i përket Kombëtares, gjithmonë kam qenë gati. Është trajneri ai që e vendos se kush do të luajë. Në momentin që jemi në fushë, është e rëndësishme që kush do që të jetë të japi 100%.
Fitorja e fundit me Islandën? – Duhet ta lëmë mbrapa. Kanë kaluar dy vite nga ajo fitore. Ne jemi një ekip tjetër, ata janë një ekip tjetër. Është një ndeshje e re. Duhet të hyjmë që nga minuta e parë të fokusuar dhe të harrojmë atë që ka kaluar.
Më i lehtë grupi pa Rusinë dhe vendi i parë në grup – Përjashtimi i Rusisë na e ka bërë disi më të lehtë grupin. Kemi dy kundërshtarë që jemi pak a shumë në të njëjtin nivel. Ne duhet të hyjmë për vendin e parë. Kemi parë që në ndeshjet e fundit e kemi rritur shumë nivelin. Kemi shumë lojtarë të rinj që po luajnë në klube të mira dhe kemi shumë besim që do ia arrijmë qëllimit. Nëse dalim të parët në grup, kjo na jep edhe një mundësi më shumë për t’u kualifikuar në Europian, që është objektivi ynë kryesor. Kështu që vendi i parë duhet të jetë qëllimi ynë.
A e rrit presionin fakti që vendi i parë është detyrë? – Besoj se jo, pasi siç po e thoja edhe më parë, kemi lojtarë që luajnë në klube shumë të mëdha dhe janë mësuar me presionin. Besoj se nuk do kemi problem.
Si do të jetë Shqipëria pa Baren dhe Laçin? – Bare dhe Laçi janë dy lojtarë të rëndësishëm dhe me kualitet. Por, lojtarët e tjerë, Gjasula, Asllani, Bajrami, unë, duhet të japim maksimumin që të arrijmë qëllimin tonë. Shpresoj se Keidi dhe Laçi do të bashkohen në grumbullimin tjetër.
Pika jonë më e fortë? – Besoj se në këto momente, harmonia në grup. Kur shikoj çunat, të gjithë janë të kënaqur, të gjithë janë të qetë dhe besoj se kjo do jetë pika jonë më e fortë.