Celta Vigo ndal Atleticon, nuk mjafton super Suarez me dopietë (VIDEO)

Atletico Madrid më në fund ndalet në La Liga. Skuadra e Celta Vigos ka bërë befasinë e madhe duke frenuar kryesuesit e këtij sezoni në një barazim 2-2 në “Wanda Metropolitano. Miqtë luajnë më mirë, madje arrijnë që të gjejnë edhe rrugën e rrjetës me Santi Minën në minutën e 12-të me një goditje me kokë. Atletico zgjohet vetëm në fundin e pjesës së parë, duke vendosur baraspeshën me Luis Suarez, i cili brenda zonës është i pandalshëm.

Sulmuesi uruguaian konkretizoi një aksion fantastik në fillimin e pjesës së dytë, duke shfrytëzuar një asisti të Lodit nga krahu i majtë. Ky ishte goli i 16-të në kampionat për Suarez, duke qenë 3 gola para Messit.

Fraksioni i dytë do të dominohej për pjesën më të madhe nga Atletico, por mbrojtja e Los Colchoneros nuk e administroi dot deri në fund rezultatin, pasi një minutë nga fundi i kohës së rregullt, Facundo Ferreyra e dërgoi topin në rrjetë. Ky barazim e mban Atleticon në krye me 51 pikë, 8 më shumë se Barcelona, por dhe me një sfidë për të rikuperuar. /R.Lika-Koha Jone/

SHKARKO APP