Cengiz Under poston foto para duelit me Shqipërinë, tifozët e Romës duan largimin e tij
Merih Demiral, nëpërmjet rrjeteve sociale ka mbështetur aksionin turk, kundër kurdëve, gjë që solli kritika të shumta në drejtim të tij nga tifozët. Megjithatë mbrojtësi nuk është i vetmi që mbështet këtë aksion nga lojtarët turq që luajnë në Serinë A, pasi edhe një futbollist tjetër ka dalë në mbështetje të presidentit turk, Erdogan.
Bëhet fjalë për futbollistin e Romës, Cengiz Under, i cili në prag të sfidës me Shqipërinë, ka postuar një foto në rrjetet, me përshëndetjen ushtarake, të cilën e shoqëron edhe me flamujt e Turqisë.
Kjo nuk i ka pëlqyer aspak tifozëve të Romës, të cilët i kanë kërkuar atij të paktën ta fshijë atë foto, pasi është me bluzën e ekipit të tyre të zemrës. Gjithashtu të shumtë janë edhe tifozët, të cilët i kanë kërkuar klubit kryeqytetas ta largojë lojtarin nga ekipi. Under nuk do të jetë me ekipin e Turqisë ditën e sotme për ndeshjen kundër Shqipërisë, por pritet që të jetë në shkallët e stadiumit.