Cerci i zhgënjyer nga Inzaghi, Galiani: Milani sezonin tjetër, i denjë për Champions
Drejtori i Ekzekutiv i Milanit, Adriano Galliani, është i bindur se skuadra e tij do të kthehet në formën më të mirë edicionin e ardhshëm dhe do të luftojë për një nga vendet e para në Serie A, duke mos e vënë në diskutim pjesëmarrjen në Champions. Milani, edhe nga trajneri Filippo Inzaghi këtë edicion ka vazhduar të zhgënjejë si në dy sezonet e kaluara, ndonëse pati një fillim të mbarë dhe fitoi ndeshjen e fundit ndaj Çezenas, 2-0 . por sërish nuk bindi në lojë. Aktualisht Milani zë vendin e nëntë pas 24 ndeshjeve në Seria A dhe është 12 pikë larg një vendit, që shkon në Ligën e Kampionëve edicionin e ardhshëm. – “Këtë sezon kemi pasur probleme të shumta me lojtarët e dëmtuar. Mendoj se do të kemi një përfundim të mirë në fund. Edicionin e ardhshëm do të jemi një ekip tjetër që do të garojmë me më të mirët”, – thekson Adriano Galliani. Edhe presioni i tifozëve është shtuar, ndërkohë që në ndeshjen e fundit i pranishëm në “San Siro” ishte një nga legjendat e Milan, Rud Gullit dhe mediat italiane kanë nisur të spekulojnë se mund të rikthehet ai për të ringritur ekipin, tashmë si trajner, nëse ecuria me Inzaghi nuk do të jetë premtuese.
Pak javë më parë Milanello dukej si një “oaz” për karrierën e sulmuesit italian Alessio Cerci, i cili kërkoi me çdo kusht rikthimin në Itali pas 6 muajve në hije te Atletico Madrid, por tashmë edhe ky destinacion po kthehet në një “shkretëtirë”. Klima e tensionuar për shkak të aktivizimit të pakët nga Inzaghi, duket se ka arritur kulmin sepse nuk ishte kjo karriera që Cerci kishte ëndërruar si kuqezi. Nëse vazhdon me këtë hap, atëherë ish bomberi i Torinos rrezikon të përjetojë të njëjtën eksperiencë si te "Los Colchoneros". Ai luajti vetëm 13 minuta me Empolin dhe vetëm 9 minuta në ndeshjen e fundit me Çesena nuk janë aspak të mjaftueshme për të bindur ambjentin kuqezi, që po jeton një nga sezonet më të errëta të epokës së presidentit Silvio Berlusconi. Fjalën e parë për zgjedhjen e titullarëve e ka trajneri, por Cerci iu premtua se do të kishte një pozicion të privilegjuar në skemat e Inzaghit dhe në këtë mënyrë kanë nisur edhe zerat e parë për një krisje mes palëve. Lojtari nuk e ka mirëpritur aspak stolin dhe pas ndeshjes me Cesena, Inzaghi i shpjegoi se zgjedhjet që bën janë në funksion të skuadrës. Një përgjigje aspak e pëlqyer nga sulmuesi, i cili duhet të zbulojë formulën e saktë për të bindur trajnerin. Muaji i mjaltit zgjati shumë pak, pasi tashmë lojtari i Kombëtares Italiane nuk është më sulmuesi që të gjithë ëndërronin për Krishtlindje. Cerci është pjesë e një Milani të sëmurë që ka nevojë për ilaçin e grupit sepse një tjetër sezon pa Europën do të ishte një tragjedi në Milanello.
KOHA JONË SONDAZH

