Çerekfinalet e Champions League/ Interi sfidon Bayernin, Arsenali përballë “Mbretërve” në Londër
Spektakli i Champions League rikthehet këtë të martë me duelet e para çerekfinale, të cilat janë spektakolare. Dy ndeshje të niveleve të larta që premtojnë shumë emocione.
Bayern Munich vs Inter, gati për “luftë”
Të gjithë sytë do të jenë të drejtuar drejt Mynihut, aty ku Bayerni i Kompany pret Interin e Inzaghit në një përballje që ka gjithçka: Histori, rivalitet dhe… shumë mungesa. Bavarezët vijnë me një formacion të cunguar, pa emra të mëdhenj si Neuer, Upamecano, Davies e Musiala, ndërsa edhe Harry Kane mbetet një pikëpyetje për shkak të gjendjes fizike.
Nga ana tjetër, edhe Inter nuk është në ditët më të mira. Dumfries, Zielinski dhe Taremi janë jashtë, ndërsa mbeten në dyshim Çalhanoglu dhe Dimarco. Pozitive është rikuperimi i Bastonit, por zikaltrit nuk do të kenë në dispozicion as mesfushorin Kristjan Asllani, për shkak të pezullimit.
Bayerni ka bilanc pozitiv ndaj italianëve, duke fituar dy përballjet e fundit në fazën e grupeve tre vite më parë. Inter ka kujtime të mrekullueshme nga duelet me gjermanët: në vitin 2010 ngritën trofeun e Champions pas fitores 2-0 në finalen e Madridit ndaj Bayernit, ndërsa një vit më pas i eliminuan sërish në fazën e 1/8.
Arsenal vs Real Madrid, “Topçinjtë” përballë “Mbretërve” në Londër
Në Londër pritet një tjetër supersfidë, me Arsenal që pret Real Madridin në “Emirates Stadium”. Skuadra e Ancelottit nuk vjen në formën më të mirë pas një disfate zhgënjyese në La Liga ndaj Valencias.
Arteta nga ana tjetër duhet të përballojë mungesa të rëndësishme, veçanërisht në sulm, pasi do të mungojnë Havertz, Gabriel Jesus dhe Sterling. Kjo është vetëm hera e dytë që këto dy klube përballen në Champions League. Herën e parë ishte në sezonin 2005/06, kur Arsenali eliminoi Realin në raundin e 1/8 me një fitore historike 0-1 në “Santiago Bernabeu”, falë një goli të Thierry Henry.


KOHA JONË SONDAZH

