“Çfarë mikpritje”! Anglia falenderon publikisht Kosovën
Kombëtarja e Anglisë e ka falënderuar Kosovën publikisht për mikpritjen e ngrohtë që ua ka bërë lojtarëve dhe tifozëve të saj gjatë vizitës në Prishtinë, për ndeshjen përmbyllëse në fushatën kualifikuese për “Euro 2020”.
Kosova e mahniti botën me mënyrën sesi e priti Anglinë në Prishtinë, si shenj falënderimi dhe mirënjohje për ndihmën dhe kontributin që Britania e Madhe ka dhënë në çlirimin dhe pavarësimin e vendit më të ri në Europë. Nga tifozët, lojtarët, stafi dhe trajneri, të gjithë në kampin anglez kanë mbetur gojëhapur me pritjen që u është ofruar nga kosovarët.
Madje mediat botërore e kanë marrë Kosovën si shembull se si duhet të pritet një ekip vizitor në futboll. Kombëtarja e Anglisë e ka falënderuar “dardanët” për mikpritjen pas mbërritjes në ishull, përmes një postimi në rrjetet sociale.
“Çfarë mikpritje! Faleminderit Kosovë”, shkruhet në llogarinë e ekipit kombëtar anglez në Twitter.