Çfarë pati deklaruar Dwamena për aparatin në zemër: Dhurata më e bukur që kam është jeta
Futbollisti i Egnatias që humbi jetën pas një arresti kardiak në fushë, Raphael Dwamena u pyet më 15 shtator, ditën e lindjes së tij se cila ishte dhurata më e rëndësishme që kishte marrë për ditëlindje. Ai tha se dhurata më e bukur ishte jeta dhe pavarësisht gjithçkaje ishte i lumtur që kishte jetën.
“Dhurata më e bukur për ditëlindje është që po jetoj. Kjo është gjëja më e rëndësishme. Shumë njerëz nuk janë këtu mes nesh dhe janë ndarë nga jeta. Gjëja më e bukur që Zoti më ka dhënë është jeta. Të shënosh është ndjenjë pozitive, por jam gjallë. Kjo është super”,- u shpreh futbollisti.
Ai ka deklaruar se pavarësisht këshillimit nga mjekët për të mos luajtur më futboll, ai vendosi të vazhdonte, pasi ishte jeta e tij.
Zbulimi i problemeve në zemër: “U shokova kur e mora vesh, luaja te Zurich për një vit, u mërzita shumë. U ktheva në shtëpinë time bëra të gjitha vizitat mjekësore dhe më pas u riktheva në Zurich.”
Defibrilatori: “Në fillim më vendosën një pajisje që më jepte disa goditje elektrike në zemër dhe në ato momente duhej të ulesha, ishte një gjendje paniku kur ndodhte, megjithatë unë nuk i kam lënë asnjëherë ndeshjet në mes.”
Doktorët në klube: “Doktorët nga klube të ndryshme shpreheshin që unë nuk duhej të luaja më, por unë i thoja që e vlerësoj mendimin e tyre, por unë nuk doja të ndalesha.”
Frikë: “Nuk kam frikë sepse zoti është me mua, kur erdha këtu bëra vizita dhe gjithçka doli mirë edhe para se të vija këtu në Zvicër isha mirë. Për njerëzit normal ka gjëra të pamundura, por për zotin jo, ai është aty për mua, e di që duket e vështirë, por ko është jeta. Secili prej nesh ka rrugëtimin e tij mua më ndodhi dhe e kam pranuar.”