Challandes: Gati për Maqedoninë, djemtë e mi janë “luftëtarë”. Muriqi? Jam pesimist

Jemi dy ditë larg sfidës historike të Kosovës. Dardanët do të masin forcat me Maqedoninë e Veriut në Shkup të mërkurën në mbrëmje (20:45), e para nga dy “finalet” për një biletë në Euro 2021. Trajneri Bernard Challandes ka folur në konferencën për shtypin, duke prekur disa tema të ndryshme.

KUNDËRSHTARI – “Shpresoj që të marrim rezultat të favorshëm ndaj Maqedonisë. Jemi në një periudhë jo të mirë, lojtarët janë në fazën e ndryshimit të ekipit. Nuk është një situatë e lehtë. Shpirti dhe mendja e jonë janë vetëm tek Maqedonia. Dy ndeshjet tjera janë po ashtu të rëndësishme. Me tri ndeshje në këtë kohë, është situatë e vështirë, por kam besim te djemtë. Lojtarët e Maqedonisë së Veriut luajnë në Europa League, pra bëhet fjalë për një ekip shumë të mirë. Por, besoj se edhe ne kemi ekip të mirë”.

BERISHA – “Unë jam trajneri dhe duhet të marr vendime që janë për të mirën e ekipin. Ai nuk është këtu për arsye të ndryshme. E kam thënë dhe po e them: ne jemi një familje. Nëse ka probleme babai me njërin fëmijë, problemi duhet të mbetet në shtëpi. E njëjta vlen edhe për Bernardin apo ndonjë tjetër. Janë edhe disa arsye të tjera, por nuk duhet t’i përmend. Kam folur një orë me Bernardin dhe shpresoj që kjo t’i shërbejë atij, dyert i ka të hapura”.

MURIQI – “Për Vedatin duhet të presim deri të martën që të bëjë teste në koordinim me stafin mjekësor të Lazios, në mënyrë që ta shohim se sa do të ketë progres. Të shohim, por më duhet ta them se jam pesimist për mundësinë e rikuperimit në kohë për shkak të natyrës së lëndimit”.

KARIKIMI – “E njoh Kosovën, i njoh lojtarët e mi. E njoh mentalitetin tuaj, e njoh paksa edhe historinë tuaj. Do të kem një ekip luftëtarësh në fushë, jam i bindur për këtë. Nuk është vetëm një ndeshje futbolli. Është një vend i ri me të ardhme. Kemi lojtarë që po shkojnë në klube të mëdha. Ata nuk e harrojnë kurrë të kaluarën, se prej nga vijnë, rrënjët e tyre. Jam i sigurt se në fund të ndeshjes nuk do të na mbetet asgjë merak”.

MUNGESAT – “Nuk dua të ankohem për mungesat. Nuk kemi nevojë për polemika. Duhet t’i nxisim lojtarët. Një kualifikim i mundshëm është i rëndësishëm për krejt popullin e Kosovës”. /abcnews.al

SHKARKO APP