Challandes: Ka ardhur momenti të prekim ëndrrën, nuk mund të presim më shumë!
Trajneri i Kosovës, Bernard Challandes ka folur në prag të ndeshjes historike të Kosovës kundër Maqedonisë së Veriut. Strategu zviceran është optimistë për një rezultat pozitiv.
“Dy vite e gjysmë më parë, në takimin e parë me ekipin kemi folur rreth një ndeshjeje të tillë, jo si objektiv për t’u arritur, por si një ëndërr e cila tashmë edhe është arritur. Tani ka ardhur momenti kur ëndrrën mund ta prekim, kemi disa probleme dhe nuk jemi në situatën perfekte, por Kosova si Kombëtare e futbollit, por edhe si shtet ka treguar se di si ti kalojë situatat e vështira.
Si trajner duhet të jesh profesionist dhe nëse has vështirësi, atëherë duhet të ndërrosh punën me përgjegjësi, unë e kam të qartë me çfarë përballem, shoh se kemi mundësi, se mund të arrijmë diçka si ekip, koha ka ardhur, nuk mund të presim më shumë për të realizuar atë që duam”, u shpreh Challandes.
Zvicerani ka lënë të nënkuptohet se Rrahmani nuk do t’i bashkohet Kosovës, duke deklaruar se kanë provuar në të gjitha mënyrat për ta marrë futbollistin e Napolit: “Po jetojmë në një kohë të veçantë me virusin dhe disa gjëra janë vështirësuar. Ne kemi tentuar në UEFA dhe FIFA, me Federatën e Italisë, me rajonin e Napolit. Për në fund nuk arritëm”, deklaroi Bernard Challandes.