Challandes: Muriqi mungesë e madhe, por do të luajmë si grup ndaj Çekisë
Kosova mbërriti mesditën e sotme në Republikën Çeke, ku nesër në mbrëmje do të luajë një ndeshje mjaft të rëndësishme eliminatore, që pritet të vendosë shumë sa i përket kualifikimit në Europian. Bernard Challandes pranoi se mungesa e Muriqit do të peshojë shumë, pasi nuk ka një lojtar tjetër me ato cilësi në sulm.
“Sigurisht që jemi gati, pasi nëse nuk do të ishim, do të qëndronim në Prishtinë e nuk do të vinim këtu. Muriqi është një mungesë e rëndësishme, pasi nuk kemi një lojtar të dytë si ai, që mund ta zëvendësojë kokë më kokë, por ka shumë rëndësi që të reagojmë si grup dhe të luajmë në këtë mënyrë në fushën e lojës.
Është puna ime të vendos formacionin, por gjithashtu edhe të mos e deklaroj atë në konferencën për shtyp. Unë nuk them kush do të luajë në vend të Muriqit. Edhe për sistemin e lojës, nuk mund të them asgjë, por mund të theksoj që nesër nuk do të ketë rëndësi vendosja në fushë.
Çekia e kënaqur edhe me barazim? Nuk është puna ime të komentoj deklaratat e kundërshtarëve, por të përgatis skuadrën time për një ndeshje sa më të mirë, pasi jemi në një moment vendimtar të eliminatoreve dhe duam të arrijmë diçka”, deklaroi Challandes.