Challandes: Shorti nuk e favorizoi Kosovën, rivalët i kemi shumë të fortë
Trajneri i Kosovës, Bernard Challandes, ka folur për Supersport pas hedhjes së shortit, ku Kosova do të jetë në Grupin 3 në Ligën C, me ekipe si Greqia, Moldavia dhe Sllovenia.
Në fjalën e tij, strategu zviceran tha: “Mendoj se nuk është një short i mirë për ne, por nuk jam i mërzitur. Jemi në Ligën C dhe luajmë kundër kundërshtarëve si Sllovenia, që ka qenë në Botëror, në Europian. Greqia po ashtu, madje janë kampionë Europe.
Është një grup shumë i vështirë, edhe Moldavia është ekip i mirë. Për mua, është një mundësi për të progresuar, duke luajtur kundër skuadrave të këtij niveli.
Mendoj se është një mundësi e mirë për t’i treguar botës çfarë mund të bëjmë, mundësi për t’u rritur. Gjithashtu, presim dhe shumë tifozë, pasi kundërshtarët janë me emër. Është diçka e mirë për ne. Kualifikimi nga UEFA Nations League, për një ekip si Kosova, është shumë i vështirë. Ne duhet të fokusohemi edhe te Kualifikueset e Botërorit, por unë do të jem i lumtur sido që të përfundojë ky grup”, përfundoi Challandes.