Champion League/ Kualifikohen 8 skuadra, Reali, Interi dhe Juvja shkojnë në Play Off
Kanë përfunduar të gjitha takimet e raundit të tetë dhe të fundit të fazës së ligës në Champions League, duke vulosur renditjen përfundimtare dhe skuadrat që do të vijojnë rrugëtimin në fazën tjetër. Java e fundit dhuroi gola, përmbysje, fitore të bujshme në transfertë, por edhe surpriza të mëdha.
Në “Emirates”, Arsenali e mbylli këtë fazë në mënyrën më të mirë të mundshme, duke triumfuar 3-2 ndaj Kairat Almaty. “Topçinjtë” konfirmuan dominimin e plotë në këtë edicion, duke regjistruar 8 fitore në 8 ndeshje, me maksimumin e pikëve.
Mbrëmje pozitive edhe për klubet angleze. Liverpool zhvilloi një paraqitje spektakolare në “Anfield”, duke shkatërruar Qarabag 6-0, ndërsa Manchester City fitoi 2-0 ndaj Galatasaray në “Etihad”, duke administruar qetësisht takimin.
Tottenham arriti një sukses të rëndësishëm në transfertë, duke mposhtur Eintracht Frankfurt 0-2, ndërsa Chelsea triumfoi në një ndeshje të fortë në Napoli, duke fituar 2-3 në “Diego Armando Maradona”.
Në Spanjë, Barcelona reagoi fuqishëm pas një pjese të parë të vështirë. Katalanasit përmbysën disavantazhin ndaj Copenhagen dhe në fund fituan bindshëm 4-1, duke konfirmuar forcën e tyre në momentet vendimtare.
Në Principatë, Juventus u ndal në barazim pa gola, 0-0 ndaj Monaco, në një ndeshje ku mbrojtjet dominuan mbi sulmin. Një nga rezultatet më të rëndësishme të mbrëmjes erdhi nga Gjermania: Interi mori një fitore të madhe në “Signal Iduna Park”, duke mundur Borussia Dortmund 0-2. Vendimtarë u bënë golat e shënuar në minutat e fundit nga Federico Dimarco dhe Diouf, që i dhanë zikaltërve tre pikë të arta.
Fitore në transfertë regjistroi edhe Bayern Munich, që mundi PSV 1-2, ndërsa në Paris, PSG nuk shkoi më shumë se barazimi 1-1 ndaj Newcastle, në një duel të luftuar.
Surpriza më e madhe e natës u shënua në “Metropolitano”, ku Atletico Madrid u mposht 1-2 nga Bodo/Glimt, rezultat që tronditi pritshmëritë në kryeqytetin spanjoll.
Ndërkohë në Lisbonë, në përballjen mes trajnerëve Jose Mourinho dhe Alvaro Arbeloa, fitues doli “profesori”: Benfica mposhti Real Madridin 4-2, në një ndeshje me ritëm të lartë dhe emocione deri në fund. Portieir Trubin shënoi në shtesë golin e katërt me kokë.

KOHA JONË SONDAZH

