Champions/ Ajaxi mundet nga Benfica, Union SG befason Galatasaray-n
Dy sfidat e para të mbrëmjes në Champions League kanë prodhuar rezultate të bujshme, duke lëkundur renditjet e grupeve.
Në “Johan Cruyff Arena”, Ajax pësoi një tjetër mbrëmje zhgënjyese, teksa u mposht 0-2 nga Benfica. Miqtë kaluan në avantazh herët, kur Samuel Dahl dërgoi topin në rrjetë në minutën e 6-të, pas një skeme të kombinuar nga goditja e këndit.
Portugezët administruan mirë lojën dhe në minutën e fundit të kohës së rregullt, Leandro Barreiro vulosi fitoren me një kundërzbritje të shpejtë, duke i dhënë ekipit të Mourinho-s tri pikët e para të sezonit. Ndërkohë, Ajax mbetet në krizë të plotë, me pesë humbje radhazi dhe zero pikë.
Ndërkohë, surpriza e madhe erdhi nga Stambolli. Galatasaray u ndal në shtëpi nga belgët e Royale Union SG, të cilët triumfuan 0-1 falë golit të Promise David në pjesën e dytë. Situata u përkeqësua edhe më tej për vendasit, që mbetën me 10 lojtarë në minutat e fundit pas përjashtimit të Arda Unyay me karton të dytë të verdhë.
Pas këtij rezultati, Galatasaray pozicionohet në vendin e 9-të me 9 pikë, ndërsa Union SG ngjitet në vendin e 18-të me 6 pikë, duke mbajtur ndezur shpresat për t’u rikthyer në garë.
KOHA JONË SONDAZH

