Champions/ United-Atletico Madrid, super ndeshja pa favorit për një biletë për në çerekfinale
Champions League rikthehet mbrëmjen e sotme me dy duele të tjera shumë interesante të fazës së 1/8-ve. Manchester United dhe Atletico Madrid do të luajnë 90 minutat e kthimit pasi barazuan 1-1 në Spanjë.
Gjithçka është e hapur për çështjen e kualifikimit, me ekipin e Diego Simeones që ka më shumë eksperiencë në duele të tilla, ndërkohë që Djajtë e Kuq kanë në skuadër një ekspert si Cristiano Ronaldo.
Ylli portugez vjen më i karikuar se kurrë pas tripletës që shënoi ndaj Tottenhamit. Me rregullin e ri të heqjes së golit në fushën kundërshtare, skuadra angleze nuk vjen me asnjë avantazh nga dueli i parë.
Situatë e ngjashme edhe në duelin Ajax-Benfica. Dueli i parë në Portugali përfundoi në barazim 2-2. Në duelin e kthimit që do të zhvillohet në Holandë, Ajax është disi më i favorizuar sepse luan në fushën e saj por dhe Benfica ka treguar në sezonet e fundit se është një ekip ekspert. /R.Lika-Koha Jonë/
KOHA JONË SONDAZH

