Chelsea fiton duelin për Champions ndaj Tottenham, “blindon” vendin e katërt (VIDEO)
Chelsea ka arritur që të marrë një fitore shumë të rëndësishme ndaj Tottenhamit, në duelin direkt për një vend në zonën Champions. Blutë e Londrës triumfuan 2-1 ndaj ekipit të Mourinhos duke blinduar vendin e katërt të renditjes.
Në minutën e 15-të Giroud merr një top fantastik nga Jorginho dhe tenton me të djathtën, por do të ndalej nga Lloris. Aksioni vijoi me një shtyllë të Barkley, ndërkohë që më pas francezi me të majtën e dërgon në fundin e rrjetës.
Në fillimin e pjesës së dytë, pas një aksioni të rrjedhshëm të ekipit të Lampard, Alonso do të shënonte një super gol me një goditje në hyrje të zonës. Në fundin e ndeshjes, Lamela provoi të rihapte ndeshjen, por ishte shumë vonë, pasi Chelsea ruajti avantazhin.
Tashmë Blutë e Londrës mbajnë vendin e katërt me 44 pikë, 4 më shumë se “Spursat”. /R.Lika-Koha Jone/