Chiesa kthehet në problem për Fiorentinën, nuk rinovon kontratën
Një vit më parë manjati italo-amerikan Rocco Commisso bleu klubin e Fiorentinës dhe bllokoi shitjen e Federico Chiesës, i cili ishte shumë pranë transferimit te Juventusi për shifrën e 60 milionë eurove.
Atëherë Commisso pati deklaruar se Chiesa është futbollisti rreth të cilit do të ndërtohej Fiorentina e të ardhmes, por duket se nuk i kishte bërë llogaritë me dëshirën e talentit italian, që synon të luajë në skuadra të mëdha.
Megjithatë sulmuesi i talentuar është shndërruar në një telash tashmë për klubin vjollcë, pasi ka refuzuar të gjitha ofertat për rinovimin e kontratës, duke konfirmuar vullnetin e tij se dëshiron të lërë Firenzen në fund të këtij sezoni.
Tani Commisso është bindur për ta shitur, por situata ekonomike e krijuar prej pandemisë ka bërë që asnjë klub të mos jetë i gatshëm të paguajë 70 milionë eurot që Fiorentina kërkon për kartonin e Chiesës.
Vetë sulmuesi kërkon transferimin brenda kampionatit italian dhe konkretisht te Interi ose Juventusi, por as zikaltrit dhe as bardhezinjtë nuk kanë ndërmend të shkojnë përtej 50 milionë eurove, shifër kjo shumë larg kërkesës së klubit vjollcë.