Chivu numra rekord në krye të Interit, kalon dhe Inzaghin e Mourinhon

40 ndeshjet e para të Cristian Chivu në pankinën zikaltër kanë bindur të gjithë: drejtuesit, skuadrën dhe tifozët.

Tekniku rumun, pavarësisht një eksperience të shkurtër te Parma  dhe punës së mëparshme në sektorin e të rinjve të Interit, ka treguar personalitet dhe qartësi idesh. Ai ka arritur t’i transmetojë skuadrës koncepte jo banale loje, duke ndërtuar marrëdhënie të drejtpërdrejta me futbollistët dhe duke i fituar ata përmes punës së përditshme.

Shifrat flasin qartë: 29 fitore, 2 barazime dhe 9 humbje (duke përfshirë edhe disfatën me penallti ndaj Bolognas në gjysmëfinalen e Superkupës në dhjetor). Mesatarja e pikëve për ndeshje është 2.23,  më e lartë se ajo e trajnerëve që kanë lënë gjurmë në 20 vitet e fundit si Simone Inzaghi, José Mourinho, Antonio Conte apo Roberto Mancini.

Swiss Digital Desktop Reklama

Drejtuesit zikaltër, me në krye Giuseppe Marotta dhe Piero Ausilio, po punojnë për rinovimin e kontratës. Aktualisht Chivu është i lidhur me Interin deri në vitin 2027 me një pagë prej 2.5 milionë eurosh në sezon. Një zgjatje deri në 2028 ose 2029, me rritje page, është një skenar i mundshëm, por vendimi final do të varet nga ecuria në kampionat, Champions dhe Kupën e Italisë. Interi është në garë në të tre frontet, ndonëse zhgënjimi i sezonit të kaluar imponon kujdes.

Swiss Digital Mobile Reklama

Duke përjashtuar Botërorin e Klubeve, janë 36 ndeshje nën drejtimin e Chivut: 25 në kampionat, 8 në Champions, 2 në Kupën e Italisë dhe gjysmëfinalja e Superkupës në Riad. Interi ka realizuar 83 gola, me një mesatare prej 2.31 golash për ndeshje.

Nga 36 ndeshje të luajtura, Interit mund t’i shtohen edhe 25 të tjera në rast se arrin në dy finale. Cilado qoftë shifra përfundimtare, ndeshjet e ardhshme do të jenë më të rëndësishmet e sezonit.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Ftesa e Trump e shpëton Ramën nga sulmet e brendshme politike?