Cikalleshi arrin Taren dhe Kushtën, ja statistikat e frikshme të bomberit kavajas
Sokol Cikalleshi është njeriu i momentit në Kombëtaren tonë. Futbollisti kavajas po kalon një formë të jashtëzakonshme, teksa ishte vendimtar edhe në ndeshjen kundër Bjellorusisë, duke shënuar dy gola në “Air Albania Stadium”. Një sulmues shumë i lëvizshëm, i cili ndihmon shpesh herë skuadrën edhe në aksionet mbrojtëse, por mbi të gjitha ka gjetur një vazhdimësi të frikshme në repartin e avancuar. 30-vjeçari u la jashtë grumbullimit para një muaji dhe nuk krijoi asnjë polemikë, duke pranuar vendimin e trajnerit Reja. Në dy vitet e fundit, sa herë është thirrur në apel nga trajneri italian për të dhënë kontributin e tij, e ka bërë më së miri.
4 gola në këtë edicion të “Nations League”. Shifrat në faqen e “UEFA”-s e nxjerrin si golashënuesin e katërt më të mirë të kompeticionit në gjithë Europën. Vetëm dy gola më pak se fenomeni i momentit, Erling Halaand, një më pak se njeriu kryesor i Belgjikës dhe Interit, Romelu Lukaku. Duke marrë në konsideratë 8 ndeshjet e fundit, ai ka gjetur plotë 8 herë rrugën e rrjetës. Një ecuri shumë pozitive, e ndikuar edhe nga momenti dhe vazhdimësia që ka pasur në dy vitet e fundit edhe në Turqi.
Aktualisht ndodhet në kuotën e 10 golave me fanellën e Kombëtares në 37 ndeshje, ka arritur Igli Taren, që për të shënuar të njëjtën shifër i janë dashur 68 ndeshje, duke barazuar dhe një legjendë të gjallë të futbollit shqiptar, Sokol Kushtën. Duke marrë në konsideratë faktin që është 30 vjeç, të dhënat janë premtuese se ai do të arrijë edhe Bogdanin, i cili është golashënuesi më i mirë në histori me 18 gola të shënuar.
Shumë i zhdërvjellët në fazën sulmuese, i aftë që të godasë si me të majtën dhe më të djathtë, me aftësi të mira edhe me kokë, e bëjnë atë një sulmues të kompletuar. Për më tepër bashkëpunimi e Rey Manaj ka shkuar shumë mirë, pasi sulmuesi i Barcelonës e ndihmon për të gjetur më shumë hapësira me inkursionet e tij. Na mbetet vetëm që të shpresojmë që Sokoli të vijojë me këtë ritëm, në mënyrë që ëndrra për ta parë Shqipërinë sërish në Europian, apo në një Kupë Bote të mos jetë e largët. /Rozalb Lika-Koha Jone/