Cikalleshi jashtë ”Euro 2024” dhe ikja nga Kombëtarja, Duka: Mund të ishte pjesë, nëse do isha në vend të tij…
Kreu i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armando Duka ka komentuar për herë të parë listën e prezantuar dy ditë më parë nga trajneri Silvinjo për sfidën në ”Euro 2024”. I pyetur lidhur me lënien jashtë formacionit të Sokol Cikalleshit dhe më tej tërheqjen e tij nga Kombëtarja, Duka tha se mërzitja është legjitime si një futbollist që ka kontribuar për kombëtaren dhe mund të ishte pjesë e Euro2024.
“Mund të ishte shumë mirë, se ka kontribuar shumë, por nëse Cikalleshi do ishte brenda dhe Broja jashtë do kishim të njëjtin diskutim, ndaj thashë që kjo është subjektive. Nuk mendoj se do isha më pak i mërzitur se Cikalleshi nëse do isha në vend të Cikalleshit.
Do isha mërzitur shume dhe ndoshta do bëja ndonjë deklaratë më shumë se tërheqja nga Kombëtarja, sepse kur ti e do një gjë dhe ke kontribuar duket sikur vërtetë të është bërë një padrejtësi, dhe mund të jetë.
Pikërisht për këtë është subjektive, në vlerësimin e dikujt është më i mirë Cikalleshi se Broja, në vlerësimin e Silvinjos është Broja më i mirë se Cikalleshi, me të drejtë është mërzitur”, tha Duka për ”Euronews Albania”.