City e feston me 5 gola titullin në Angli, Chelsea kualifikohet me fat në Champions (VIDEO)

Manchester City, kampionët më të ri të Anglisë, e kanë mbyllur sezonin me një fitore spektakolare 5-0 kundër Evertonit. Ishte një duel që nisi me festën fantastike për largimin e Agueros, dhe u mbyllë po nga argjentinasi me dy gola të shënuar. De Bruyne hapi serinë e golave që në minutën e 11-të, ndërkohë që tri minuta më pas Gabriel Jesus shënoi dhe golin e dytë. Në fundin e pjesës së parë Sigurdsson humbi një penallti. Në fillimin e së dytës Foden realizoi dhe golin e tretë, ndërkohë që më pas Kun Aguero vendosi vulën e tij, edhe pse u aktivizua vetëm për 25 minutat e fundit.

Manchester United triumfoi 2-1 ndaj Wolves, duke mbetur në vendin e dytë në kampionat. Elanga dhe Juan Mata ishin autorët e golave për “Djajtë e Kuq”. Liverpooli bën detyrën duke siguruar pjesëmarrjen në zonën Champions. Skuadra e Jurgen Klopp fitoi pastër 2-0 kundër Crystal Palace. Sadio Mane shënoi dy golat e kësaj sfide në minutën e 36-të dhe të 74-t. Katër vendet më të mira që do të luajnë në Champions League kompletohen nga Chelsea.

Blutë e Londrës në fakt pësuan një humbje të papritur 2-1 në transfertën ndaj Aston Villas, por përfituan nga humbje 2-4 e Leicesterit kundër Tottenhamit. Traore dhe El-Ghazi ishin autorët e golave për Aston Villën, ndërkohë që tek Chelsea shënoi mbrojtësi Chilwell. “Dhelprave” ndërkohë nuk ju mjaftoi dopieta e Vardy, pasi Kane, dopieta e Bale dhe një autogol përmbysën gjithçka, duke shuar ëndrrën e tyre. Së bashku me ta në Europa League do të luajë West Ham, ndërkohë që Tottenham do të bëhet pjesë e Conference League. Në fundin e tabelës Fulham, West Brom dhe Sheffield United do t’i shohim në Championship në sezonin e ardhshëm. /R.Lika-Koha Jone/

SHKARKO APP