City fiton me lehtësi ndaj West Ham, Haaland arrin rekordin e Ronaldos
Manchester City vijon formën e shkëlqyer në Premier League, duke regjistruar fitoren e pestë radhazi. Skuadra e Pep Guardiolës triumfoi 3-0 ndaj West Ham në “Etihad”, në ndeshjen e vlefshme për javën e 17-të të kampionatit.
Takimi u zhbllokua shumë shpejt, teksa Erling Haaland gjeti rrjetën që në minutën e 5-të. Sulmuesi norvegjez nuk u dorëzua pas pritjes së parë të portierit Areola, duke e dërguar topin në rrjetë në tentativën e dytë. Me këtë gol, Haaland arriti kuotën e 103 golave në Premier League, duke barazuar shifrën e Cristiano Ronaldos, por me plot 122 ndeshje më pak se ylli portugez.
Dominimi i “Qytetarëve” u konkretizua sërish në minutën e 38-të, pas një aksioni të ndërtuar bukur, ku Haaland u shndërrua në asistues dhe Tijjani Reijnders realizoi golin e dytë. Pjesa e parë u mbyll me avantazhin 2-0 për vendasit. Në pjesën e dytë, City ruajti kontrollin e lojës dhe në minutën e 69-të, Haaland kompletoi dopietën personale, duke vulosur shifrat përfundimtare 3-0.
KOHA JONË SONDAZH

