City godet në merkato, transferon yllin ganez për 75 milionë euro
Manchester City është shumë pranë goditjes së parë në merkaton e janarit. Klubi anglez ka hyrë në fazën finale të negociatave për Antoine Semenyo dhe gjithçka pritet të vendoset gjatë ditës së sotme. Mediat britanike raportojnë se tratativat me Bournemouth janë intensifikuar ndjeshëm, me “qytetarët” që synojnë të mbyllin marrëveshjen para skadimit të klauzolës së lirimit.
Sulmuesi ganez ka në kontratë një klauzolë prej 75 milionë eurosh, e cila skadon të premten, faktor që po e shtyn Manchester City-n të veprojë me shpejtësi për të shmangur komplikime apo konkurrencë të mundshme. Nëse gjithçka shkon sipas planit, Semenyo pritet t’i nënshtrohet vizitave mjekësore që nesër, përpara firmosjes së kontratës me skuadrën e Pep Guardiolës.
Ndërkohë, Bournemouth vazhdon përgatitjet për përballjen ndaj Tottenham, një ndeshje që mund të shënojë edhe lamtumirën e Semenyo-s me ekipin e Andoni Iraola-s.
Trajneri spanjoll nuk i ka fshehur dyshimet për të ardhmen e lojtarit, duke lënë të kuptohet se merkatoja mund të sjellë ndryshime të menjëhershme.
“Me gjithë zhurmën që po qarkullon rreth tij, mund të jetë ndeshja e fundit. Nuk mund ta them me siguri, por e kuptoj shumë mirë se si funksionon tregu i transferimeve”, deklaroi Iraola në konferencë për shtyp.
KOHA JONË SONDAZH

