City zyrtarisht në krizë, Feyenoord e bën Guardiolën që të lëndojë veten
Manchester City konfirmon momentin negativ që po kalon këtë sezon. Kampionët e Anglisë kanë harruar se si fitohet, teksa në 6 ndeshjet e fundit kanë shënuar vetëm rezultate negative.
Pesë humbje radhazi dhe një barazim, kundër Feyenoord vulosin momentin negativ të ekipit të Pep Guardiolës. Një barazim që nuk shijon aspak, pasi deri në minutën e 75-të po udhëhiqnin me tre gola epërsi përballë holandezëve.
Anglezët dështuan për të marrë tre pikëshin në Ligën e Kampionëve për tu bërë skuadra e parë në historinë e kompeticionit që shpërdoruan një avantazh tepër solid me 3 gola. Për më tepër, City kanë pranuar dy gola në tre ndeshje radhazi për herë të parë në 61 vite.
Zhgënjim nën drejtimin e Guardiolës. Për herë të parë, spanjolli nuk arriti të marrë 3 pikët në një sfidë ku dominonte me shifrat 3-0. Për Guardiolën kjo ishte ndeshja e 942-të në karrierë, ndërsa para mediave ai u shfaq me disa shenja në hundë dhe kokë, ku pranoi se e kishte bërë me thonj në momente tensioni gjatë sfidës.