Çmimi mund t’i kushtojë shtrenjtë, Lewandowski rrezikon karantinën
Ylli i Bayern Munichut, Robert Lewandowski, rrezikoi jo pak për të mos marrë pjesë në ndeshjen e 3 janarit në Bundesligën gjermane. Sulmuesi polak udhëtoi së bashku me familjen në Dubai për të marrë pjesë në ceremoninë e “Globe Soccer Awards” ku dhe në fund arriti të merrte çmimin si sulmuesi më i mirë i vitit. “Bild” shkruan se Dubai hyn në zonën e kuqe për sa i përket pandemisë dhe nëse udhëton nga Dubai në Gjermani, duhet të karantinohesh për gati 10 ditë.
Kështu polaku rrezikon sfidën me Mainzin? Por, sipas rregullave të Bavarisë, nëse një person udhëton për çështje pune, atëherë ai nuk është i detyruar të karantinohet. Sipas “Bild”-it, Bayerni i ka dhënë leje sulmuesit dhe e ka quajtur këtë udhëtim si udhëtim pune dhe jo privat, edhe pse lojtari u pa në plazhet e Dubait së bashku me fëmijët e tij. 32- vjeçari do të jetë i gatshëm për sfidën e 3 janarit.