Comolli sqaron merkaton e Juventusit: Vlahovic ikën me një kusht!
Drejtori i përgjithshëm i Juventusit, Damien Comolli, ka komentuar zhvillimet më të fundit të merkatos për klubin bardhezi, duke folur me gazetarët jashtë qendrës stërvitore në Continassa. Ai ka prekur disa nga çështjet më të nxehta të momentit, përfshirë të ardhmen e Dusan Vlahovic, interesin për Randal Kolo Muani, situatën e Sancho, si dhe çështjen disiplinore me Douglas Luiz.
Një nga emrat më të përfolur është padyshim sulmuesi serb Dusan Vlahovic. Comolli konfirmoi se një largim nuk është i përjashtuar: “Kemi pasur një bisedë shumë pozitive në SHBA. Jemi dakorduar që nëse do të vijë një ofertë e shkëlqyer për të si lojtar dhe për ne në aspektin financiar, atëherë do të jemi të hapur për ta shitur,” u shpreh ai.
Një tjetër temë ishte rikthimi i mundshëm i Randal Kolo Muani nga Paris Saint-Germain. Comolli pranoi kontaktet me klubin francez: “Ai dëshiron të rikthehet. Dialogu me PSG është i hapur dhe marrëdhëniet tona me ta janë shumë të mira.”
Sa i përket Timothy Ëeah, drejtori i Juventusit foli edhe për interesimin nga Olympique Marseille, duke theksuar se: “Dialogu ekziston, por oferta që kemi marrë nuk është mjaftueshëm e rëndësishme.”
Ndërkohë, për Jadon Sancho, Comolli u shpreh optimist: “Juventusi është një klub shumë tërheqës. Na kontaktojnë shumë agjentë dhe lojtarë. Jemi Juventus dhe duam të rikthehemi te titujt. Ruajtja e Conceição ishte një vendim i fortë dhe i qartë, ai mund të luajë në të dy krahët. Kemi dy nga anësorët më të mirë në botë (Yildiz dhe Conceição), ndërsa Nico është gjithashtu një lojtar shumë i mirë. Nëse largohet dikush, do ta vlerësojmë situatën.”
Një çështje që shkaktoi jo pak polemika ishte mungesa pa leje e Douglas Luiz në ditët e para të grumbullimit. Comolli tregoi se lojtari tashmë është kthyer dhe ka pranuar gabimin: “Kur ai nuk u paraqit, i thashë skuadrës se askush nuk mund ta mungojë respektin për Juventusin, një klub kaq të madh. Mendoj se Douglas bëri një gabim, ai e pranoi dhe tashmë është vënë në dispozicion të klubit.”
KOHA JONË SONDAZH

