Conte: 7 ditë më parë na bënin të vdekur, s’ka “biskotë” në Champions

Të mundin Shakhtar Donesk dhe të shpresojnë në lajme të mira nga Madridi. Misioni i Interit në Champions League, mund të vijojë vetëm nëse do të realizohen këta dy kushte. Trajneri Antonio Conte para duelit në “San Siro” ka folur në konferencë për shtyp, ku ka deklaruar se nuk duhet menduar për “biskotat” e famshme.

“Duhet të fitojmë ndaj një skuadre të madhe, ky është realiteti dhe fakti. 7 ditë më parë, para Borussias, na quanin të vdekur. Tani kemi parë një dritë në fund të tunelit. Nuk duhet të flasim si në bar, por për Championsin dhe për klube të mëdha. Të dëgjosh të flitet për iluzione apo biskota është dëshpëruese në këtë moment të punës. Mediat nuk duhet të krijojnë thashetheme.

Shakhtar është një ekip i shkëlqyer, i stërvitur nga një trajner shumë i mirë. Të luash kundër tij nuk është kurrë e lehtë. Është ndeshja e tretë kundër tyre në një kohë të shkurtër. Kundërshtari ka dy nga tri rezultate në dispozicion, ne vetëm një, që është fitorja. Do të përpiqemi ta marrim atë.

Mesfusha? Situata nuk është më e mira. Arturo nuk është i disponueshëm, marrja e rreziqeve do të nënkuptojë zgjatjen e kohës së rikuperimit dhe ne nuk mund ta përballojmë këtë. Na vjen keq që nuk do të jetë, por fituam kundër Borussia edhe pa të. Ne do të luajmë si një ekip i madh, duke kompensuar mungesat”, deklaroi Conte.

SHKARKO APP