Conte: Meritonim të kalonim në finale, Napoli vetëm u mbrojt!
Interi nuk ia doli të përmbysë humbjen në ndeshjen e parë gjysmëfinale të Kupës së Italisë përballë Napolit, pasi mbrëmjen e djeshme në “San Paolo” nuk shkoi më shumë se një barazim 1-1, duke i dhënë lamtumirën këtij kompeticioni.
Në përfundim të ndeshjes, trajneri i zikaltërve Antonio Conte nuk e fshehu zhgënjimin për eliminimin, por u shpreh se skuadra e tij meritonte që të kalonte në finale.
“Duke parë në tërësi të dy ndeshjet, meritonim kalimin në finale, pasi kemi dominuar dhe krijuar raste të shumta, por në fund vlen rezultati dhe këtë herë nuk ka qenë në favorin tonë. Edhe sonte krijuam shumë, por Ospina ishte më i miri në fushë, duke bërë disa pritje të jashtëzakonshme.
Në nivelin e performancës, nuk kam çfarë t’u kërkoj më shumë djemve, pasi dominuan në të gjithë aspektet, por thjesht duhet të jemi pak të të këqij në rastet që krijojmë, pasi nuk kemi luksin të shpërdorojmë shumë. Eriksen bëri një ndeshje shumë të mirë, duke lëvizur shumë dhe marrë pjesë si në fazën mbrojtëse, ashtu edhe sulmuese.
Bëri 11 apo 12 kilometra dhe ishte gjithmonë prezent në fushë, ndërsa vetëm Ospina i mohoi dy herë mundësinë e dopietës. Gabuam në momentin e golit të pësuar, pasi nisëm të marrim pozicionet shumë ngadalë dhe për fat të keq në atë episod nuk patëm as fat, megjithatë është pjesë e rritjes dhe duhet të mësojmë nga ky rast”, tha trajneri i Interit.