Conte shpërthen pas humbjes: Diçka nuk po shkon. Nuk dua të shoqëroj një skuadër të vdekur!
Pas humbjes së radhës në kampionat, Antonio Conte ka dhënë një deklaratë të ashpër dhe të sinqertë, duke ngritur alarmin për gjendjen e Napolit. Trajneri italian nuk i kurseu fjalët dhe kritikoi ashpër qëndrimin e skuadrës.
“Nëse humbim pesë ndeshje, do të thotë se diçka nuk po shkon si duhet. Duhet bërë diçka, sepse unë nuk kam ndërmend të shoqëroj një të vdekur. Unë jam i pari që marr përgjegjësi nëse duhet. Nuk shoh aspak harmoni, secili mendon për problemin e vet. Transplant zemre nuk bëhen. Secili prej nesh duhet të gjejë shpirtin, zemrën, agresivitetin. Gjërat duhen bërë, por varet si bëhen. Një gjë është të bësh detyrën, tjetër është të luash për një skuadër me pritshmëri shumë të larta. Secili po mendon për kopshtin e vet, e kam parë këtë edhe më parë dhe dua të flas seriozisht me klubin.”
Trajneri kujtoi edhe një kapitull të errët të së shkuarës së klubit: “Mos harroni që pas titullit të tretë, Napoli doli i dhjeti. Nuk mendoj se kjo ka shërbyer si mësim. Shpesh mendohet se nga një ditë në tjetrën, rosaku i shëmtuar kthehet në mjellmë. Vitin e kaluar bëmë diçka të jashtëzakonshme, por tani duhet të pyesim veten si po punojmë, nëse kemi entuziazmin dhe dëshirën e duhur apo po notojmë mbi lavdinë e së kaluarës duke menduar se jemi favoritë.”
Conte theksoi se skuadra nuk ka më energjinë e sezonit të kaluar: “Sigurisht që nuk kemi energjinë e vitit të kaluar, dhe djemtë e dinë mirë se ç’mendoj. Më vjen keq që nuk po arrij ta ndryshoj këtë tendencë pas katër muajsh, sepse kjo do të thotë se ose nuk po bëj një punë të mirë, ose dikush nuk do ta dëgjojë atë që them.”
KOHA JONË SONDAZH

