Cristiano Ronaldo infektohet me Covid-19, ja si është gjendja e tij shëndetësore
Cristiano Ronaldo ka rezultuar pozitiv me Covid-19 pas një testi të kryer. Lajmin e ka dhënë federata portugeze e futbollit, sipas së cilës futbollisti është mirë dhe nuk ka asnjë simptomë.
Ai është izoluar dhe nuk do mundet të luajë në ndeshjen e së mërkurës përballë Suedisë. Federata ka bërë të ditur se gjithë skuadra portugeze i është nënshtruar testit të koronavirusit dhe askush nuk ka rezultuar pozitiv përveç Ronaldos.
Ditën e djeshme ai publikoi në Instagram një foto, në të cilën shfaqej në një tryezë të madhe së bashku me miqtë e skuadrës së tij. Gjithashtu ai ka luajtur së fundmi në dy ndeshje me ekipin e Portugalisë për UEFA Nations League.
Ndërkohë dy ditë më parë, ylli i futbollit u përfshi në telashe, sepse bashkë me disa nga lojtarët më në formë të Juventusit iu bashkuan ekipeve të tyre kombëtare, pavarësisht rregullave që nuk e lejonin diçka të tillë pas dy rasteve pozitive në stafin e kampionëve italianë. Si ylli portugez, ashtu edhe disa futbollistë të Amerikës së Jugut përfshirë Paulo Dybala, Juan Cuadrado, Danilo dhe Rodrigo Bentancur u larguan nga hoteli i ekipit të Juventusit pa pritur rezultatet e tamponit. E gjithë skuadra dhe stafi i Juventusit ishin izoluar nga e shtuna, një procedurë që nuk i ndalon ata të stërviten ose të luajnë, por ndalon kontaktin me personat jashtë.