Cristiano Ronaldo mund të largohet nga Juventus për shkak të Covid-19

Kriza e Covid-19 po vë në vështirësi edhe klubet më të mëdha në Evropë. Një prej tyre është edhe Juventusi, që në ditën e fundit mori masën e reduktimit të pagave të futbollistëve për 4 muaj. Gjithsesi kjo nuk do të mjaftojë. Skuadra torineze do të kursejë 90 milionë euro nga kjo masë, por bilanci për vitin 2019/2020 pritet të mbyllet me shumë humbje.

Gazeta italiane “Il Messaggero” raporton se dëmi ekonomik që mund të pësojë Juventusi nga kjo krizë mund të sjellë pasoja për arkat e klubit. Një nga vendimet mund të jetë edhe heqja dorë nga Cristiano Ronaldo. Portugezi përfiton 31 milionë euro në sezon, ndërkohë që paga e tij bruto bashkë me taksat shkon në 54 milionë euro.

Për CR7 ka tre mundësi. E para është shitja në një tjetër skuadër për një shifër më të madhe se 70 milionë euro. Dy alternativat e tjera kanë të bëjnë më qëndrimin e portugezit në Torino, duke mos rinovuar kontratën që i skadon në vitin 2022, ose duke e zgjatur me një tjetër vit, por me opsionin për ta ulur atë. /Rozalb Lika-Koha Jone/

SHKARKO APP