Cungu: Jam i lumtur, por mund të kishim fituar edhe më thellë!
Laçi mori një fitore spektakolare 2-0 ndaj Kukësit, por mesa duket trajneri Armando Cungu kishte parashikuar edhe më shumë gola. Strategu i kurbinasve në intervistën pas ndeshjes, deklaroi se ekipi i tij duhet ta kishte mbyllur sfidën me një rezultat më të thellë.
“Duhet të jem i gëzuar për shumë arsye. E nisëm si një finale. Presuam lartë gjatë të gjithë ndeshjes. Ia arritëm qëllimit. Nuk arritëm të zhbllokoheshim. Goli i parë na dha pak qetësi. Ekipi i Kukësit ka shumë kualitete dhe ishte i rrezikshëm, mund të na bënte dëm në çdo momente. Pjesa e dytë ishte e kënaqshme, ekipi e rriti luftën dhe nuk ra. Goli i dytë na dha qetësi. Sikurse e patë dhe vetë kishim mundësi disa mundësi të tjera për të shkuar edhe më thellë. Komplimente djemve për shpirtin e garës. Kjo ishte ndeshja më e mirë, për nga lufta sportive. Kanë mbetur edhe 6 javë të rëndësishme. Do të vazhdojmë të kërkojmë maksimumin në çdo ndeshje.
Ndryshimet nuk janë pozitive. E rëndësishme është që ekipi të jetë në ekuilibër. E rëndësishme është që të gjithë japin maksimumin. Do të vazhdojmë të bëjmë një diçka të tillë. Kemi shumë lojtarë që luajnë në pozicione jo normale. Japin maksimumin, dua t’i përgëzoj djemtë. Nuabueze është riaftësuar shpejt. Shpresojmë që shumë shpejt të jetë në fushën e lojës.
Nuk e kam hequr kurrë respektin për Kukësin dhe tifozerinë kukësiane. Më kanë dashur më kanë respektuar dhe jam ndjerë shumë mirë. Tani jam në një ekip tjetër dhe jam i fokusuar këtu. Kur tentoj të fitoj kundër Vllaznisë, ekipet e tjera vijnë shumë më poshtë, për sa i përket zemrës. Zemra rreh fortë për Vllazninë”, deklaroi Cungu.