Cungu: Rinisja e pabarabartë, te Vllaznia mungon serioziteti
Laçi është një nga skuadrat që po kalonte një moment shumë pozitiv derisa u shfaq pandemia e Covid-19. Arkitekti i skuadrës kurbinase Armando Cungu foli për situatën e krijuar për rinisjen, ndërkohë që si shkodran nuk i kurseu kritikat për gjendjen e Vllaznisë.
“Nuk kanë qenë të lehtë këto dy muaj, pavarësisht se kemi qenë mirë nga ana shëndetësore. Të gjithë kemi kaluar një situatë të pakëndshme, na është bërë terror edhe nga televizori, duke dëgjuar vetëm për vdekje. Kjo ndikon psikologjikisht. Jemi munduar të mbajmë formën individualisht, por jo të gjithë kanë mundur ta bëjnë në kushte të barabarta.
Besoj që mund të kemi probleme. Është situatë e paprovuar ndonjëherë. Dy muaj pushim, ku gjithsecili është stërvitur me kushtet e tij, ndryshe nga futbolli perëndimor, ku i kanë kushtet edhe në banesat e tyre. Futbollistët shqiptarë mendoj, vazhdojnë të jenë të varfër. Kemi ardhur nga një sistem me duar në xhepa, sa na mbyllet një vrimë, na hapet tjetra. Brenda ekipit tim nuk ka barazi mes futbollistëve sa i përket stërvitjes e çmund të themi për skuadrat. Tani jemi në kushte të pabarabarta. Nuk na mbetet gjë tjetër të japim maksimumin kështu siç është vendosur.
Vllaznia? Jam në krah të sportistëve, që të jem i ndershëm. Futbolli ynë nuk është aq i pasur sa të presësh 4 muaj pa paga. Askush ia bën dot llogarinë tjetrit. Ai takim në fushë m’u duk aspak serioz, u tregua si klub amatoresk. Nuk mund të bëhen këto takime nën hijen e plepave. Kjo është ajo që nuk bie dakord. Kriza mund të ketë çdo ekip, por duhen kaluar me seriozitet”, deklaroi Cungu për Supersport.