“Daily Mail”/ Anglia merr lejen për të udhëtuar në Shqipëri, sfida luhet në “Air Albania”

Ndeshja e vlefshme për kualifikueset e Kupës së Botës mes Shqiëprisë dhe Anglisë, do të luhet në “Air Albania Stadium”. Konfirmimi ka ardhur nga Anglia, teksa “Tre Luanët” kanë siguruar një leje nga qeveria e vendit të tyre për të bërë një përjashtim për kufizimet për udhëtimet.

Të gjitha fluturimet e drejtpërdrejta midis Mbretërisë së Bashkuar dhe Shqipërisë janë pezulluar që nga 22 Dhjetori, ndërkohë që kushdo që bën ndalesë në një vend tjetër, duhet të vetë-izolohet në kthim, por ekipi i Gareth Southgate tashmë ka marrë miratimin. Udhëtimi i Anglisë në Tiranë më 28 mars, është mes ndeshjeve kualifikuese të Kupës së Botës në Wembley kundër San Marinos dhe Polonisë, kështu që çdo kërkesë për izolim do të çonte në zhvendosjen e ndeshjes në një vend tjetër.

“Daily Mail” raporton se Federata Anglize dhe FSHF kanë shqyrtuar mundësinë e zhvillimit të ndeshjes në një terren tjetër, jo në “Air Albania” për shkak të terrenit, por tashmë vendimi është marrë që të zhvillohet pikërisht në impiantin e parë.

Interesant është fakti që në Angli po mendojnë që lojtarët të instalojnë një aplikacion “Whitehall”, teksa do të kenë të drejt që të udhëtojnë në kombëtaret e tyre si Arjentinë, Brazil, Kolumbi apo Portugali pa pasur detyrimin për karantinim në kthim. Gjithsesi lajmi se ndeshja  mes Shqipërisë dhe Anglisë do të luhet sipas parashikimeve është pozitiv, pasi klubet angleze nuk janë pranuar në sfidat e Champions League, duke luajtur në fusha asnjanëse. /Rozalb Lika-Koha Jone/

 

 

 

SHKARKO APP