Daja: Derbi si ndeshjet e tjera, edhe nëse humbim nuk dalim nga objektivat!
Partizani nuk fiton prej tri ndeshjesh në Kategorinë Superiore, teksa numëron dy barazime dhe një humbje. Gjithsesi derbi i ditës së nesërme përballë Tiranës, shihet si momenti i duhur për të dalë nga ky moment aspak pozitiv. Në konferencën për shtyp para ndeshjes, trajneri Ilir Daja deklaroi se edhe një humbje në super sfidën ndaj Tiranës, nuk e nxjerr Partizanin nga objektivat duke ulur disi presionin te skuadra.
“Kemi pasur vazhdimësi pozitive, pavarësisht ndeshjes së fundit. Nesër është derbi dhe nuk ka lidhje çfarë kemi bërë më parë. Është ndeshje e rëndësishme dhe mbajmë përgjegjësi dhe e kemi vlerësuar shumë. Nuk jam nga ato trajnerë që merrem me trajnerët dhe formacionet e kundërshtarëve.
Rezultatet e gjithë ekipeve sipër kanë qenë negative. Ky kampionat ka nisur me 3 nëntor dhe ka qenë shumë i ngjeshur, lojtarët e Partizanit kanë bërë vetëm 3 ditë pushim, kjo nuk ka ndodhur më parë. Nuk kemi bërë mirë këto tre javë, por kështu kanë bërë edhe kundërshtarëve dhe nisemi nga një pozicion. Vetëm Tirana ka bërë ndryshe. Derbi megjithëse është bonus i madh psikologjik, por vlen tre pikë, sa të tjerat. Nëse humbin nuk ndryshojnë objektivat. Gazetarët nuk e kanë renditur në fillim Partizanin si pretendent, por vazhdimësia jonë ka sjellë këtë vlerësim.
Mungesat? Junior ka qenë i dëmtuar me tërheqje muskulore dhe ka rezultuar edhe pozitiv për Covid-19. Është shëruar dhe është stërvitur i veçuar. Do jetë në pankinë, më shumë për motivim. Po ashtu edhe Hasani. Nesër të gjithë do jenë të grumbulluar.
Gabimet? Me Apoloninë dhe Skënderbeun kemi bërë ndeshje të mira, kemi qenë të motivuar dhe nuk ishte ajo, që nuk e solli fitoren. Ka qenë lodhja dhe gabimet teknike, ashtu siç kanë bërë të gjithë ekipet në Superiore, por edhe Europë, ku skuadra të mëdha kanë pasur oscilacione. Skënderbeu nuk na vodhi, por goditi vetëm dy herë portën, shtylla dhe goli”, deklaroi Daja.