Daja: Duhet të na falënderoni, respektuam “Fair Play-in”
Partizani mori një fitore të rëndësishme 2-1 kundër Kukësit, duke shkuar 4 pikë larg nga Vllaznia kryesuese. Trajneri Ilir Daja pas ndeshjes u ndal te episodi i “Fair Play”it, që skuadra e tij bëri pas golit të Muratajt.
“Lejuam golin e Kukësit në respekt të lojës korrekte dhe të ‘fair-play’, për asgjë tjetër. Nuk ishte gabimi i Muratajt që shkoi drejt golit, vendimi nuk ishte aq shpejt. I thamë lojtarëve tanë që në respekt të linim golin, për të respektuar ‘fair-play’. Ishte fitore e merituar. E nisëm mirë pjesën e parë, më pas iniciativën e mori Kukësi.
U respektua ‘fair-play’, për këtë duhet të na përgëzoni. Mund të kishte zgjidhje të tjera. Vendimin e morëm në mënyrë kolegjiale. Përballë kishim një ekip si Kukësi, që ka lojtarë cilësorë me goxha eksperiencë dhe me cilësi individuale. Kukësi është nisur për objektiva madhore. Titulli? Ne kemi ngushtuar diferencën me Vllazninë, por tani duhet të jemi akoma më shumë me këmbë në tokë“, përfundoi Daja