Daja: E respektojmë Skënderbeun, por hyjmë në fushë për fitore!

Trajneri Ilir Daja ka folur për ndeshjen e radhës në Superiore. Java e 14-të e gjen Partizanin në transfertë, duke luajtur kundër Skënderbeut.

“Jemi të kënaqur, pasi shtojmë edhe më shumë potencialin në mesfushë dhe sulm. Shtimi i rivaliteti i shtyn gjërat përpara në progres. Presim edhe mbrojtës, pasi kemi vetëm katër të tillë në organikë. Jemi në intensitet maksimal pune për sa i përket vëzhgimit të lojtarëve për t’u afruar. Janari të jep pak mundësi për futbollistë cilësorë. Vazhdojmë të jemi intensivë për përforcimet.

Nuk ngutemi, pasi çdo gabim mund të na kushtojë më pas. Respektojmë rregullat e UEFA-s dhe FIFA-s për sa i përket bisedimeve. Jemi në bisedime me lojtarë brenda rregullave, emrat nuk i them dot. Sa nuk janë fakt, nuk i them. Vendimet i marrim bashkë me klubin, që të ketë sa më pak mundësi gabimi.

Kampionati? Skuadrat janë ngjeshur në klasifikim, veç Vllaznisë së shkëputur. Me dy fitore del lart dhe me dy humbje zbret. Nuk ka diferenca, duke nisur nga Vllaznia. Kjo ngjeshje do të jetë për shumë kohë. Tani me terrenet e rënduara nuk ka më lojë spektakolare, ka vetëm grintë. Ndeshjet po ngjeshen dhe nuk do të ketë shumë ndryshim. Duhet të përshtatemi me terrenet dhe të jemi cinikë. Normalisht nuk ndryshojmë dot filozofinë e lojës.

Vijmë pas një humbje dhe barazimi, por jemi të dytët. Normalisht nuk më pëlqen vendi i dytë, por në fillim do ta firmosja. Të tjerët janë përforcuar shumë dhe jemi të dytët. Kemi bërë mirë dhe shpresojmë të vazhdojmë ecurinë e mirë. Shkoj në një qytet që e respektoj shumë dhe kemi arritur gjëra të mëdha. Nesër i kemi kundërshtarë korçarët, por i respektoj shumë. Do luftoj të fitojmë sërish, si në fazën e parë. Duhet të përshtatemi me borën.

Situata? E kemi të gjithë kontingjentin për Skënderbeun, përveç Idrizajt dhe Lucas, i cili nuk është paraqitur në dy seancat e fundit. Do të marrë penalitete sipas rregullores që ka klubi. Edhe dy afrimet do të jenë prezent nesër. Murataj dhe Stenio mund të luajnë. I pari ka shanse më shumë, pasi e njeh kampionatin shqiptar dhe e ka më të thjeshtë përshtatjen. Në varësi të ndeshjes mund të luajë edhe braziliani“, deklaroi Daja.

 

 

SHKARKO APP